AIS i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, në mungesë të një Gjykate të Lartë dhe Kushtetuese i kërkohet shqyrtim themeli për çështje në rekurs

Në datën 19 Nëntor AIS i është drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut , Këshilli i Evropës me kërkesën Për të Trajtuar me përparësi ankimin e AIS kundër Shqipërisë dhe për të shqyrtuar themelin e kësaj çështjeje për shkelje të nenit 6, nenit 10 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut.

Kjo kërkesë vjen në kushtet kur Gjykata e Lartë ku është bërë rekurs dhe Gjykata Kushtetuese janë jo funksionale.

Etapa të Çështjes për të cilën kërkohet Gjykim në themel, janë parashtruar për Gjykatën e Strasburgut si vijon:

Në datën 9 qershor 2015, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), një OJF shqiptare, i dërgoi një kërkesë zyrtare tre subjekteve kryesore zgjedhore, përkatësisht Partisë Socialiste (PS), Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) duke iu kërkuar atyre informacionin e mëposhtëm:

1.         listën e donatorëve të fondeve jopublike, nga të cilët ata kanë përfituar që nga data 21 maj 2015, mbi 100 000 (njëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në shërbime ose mallra;

2.         Listën e çdo shpenzimi të kryer që nga data 21 maj 2015, duke përdorur fondet vjetore të përfituara nga buxheti i shtetit në vitin 2015.

Subjektet e mësipërme zgjedhore nuk iu përgjigjën kërkesës sonë. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 24 të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën (aksesin) e informimit”, AIS, në datën 7 korrik 2015, paraqiti ankesë përpara Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në datën 25 korrik 2015, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale na njoftoi për vendimin e tij nr. 44, datë 22.07.2015 “Për refuzimin e ankesës”. Komisioneri e refuzoi ankimin tonë nr. 675, datë 9.07.2015, me arsyetimin se “informacioni i kërkuar duhet të administrohet nga organizatat e parashikuara me këtë ligj dhe nenin 2 të tij, të cilat nuk janë përcaktuar si autoritete publike në kuptimin e mënyrës sesi ato janë të organizuara, si ato veprojnë dhe kuadrit të tyre rregullator”.

Në zbatim të Nenit 25 të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës.

Pas përfundimit të seancave gjyqësore, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë u shpreh me vendimin nr. 5687, datë 10.11.2015, sipas të cilit: “Gjykata rrëzon kërkesë-padinë e Institutit Shqiptar të Shkencave kundër Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lëvizjes Socialiste për Integrimin e Shqipërisë, i cili kërkon “Shfuqizimin e vendimit nr. 44, datë 22.07.2015 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale” si padi që nuk bazohet në prova apo në ligj.” Gjykatës iu të vendoste partive politike (subjekteve zgjedhore), përkatësisht Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që t’i japin Institutit Shqiptar të Shkencave informacionin e kërkuar për financimin e fushatave të tyre zgjedhore sipas kërkesës së saj (AIS) të datës 9 qershor 2015.

Në datën 25 nëntor 2015, Instituti Shqiptar i Shkencave depozitoi në Gjykatën Administrative të Apelit ankim kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr. 5236, datë 22.11.2017, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Çështja është në pritje të gjykimit nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Në datën 18 maj 2016, AIS iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke i kërkuar asaj të shprehet për proceset gjyqësore dhe nëse ato përbëjnë shkelje të Neneve 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Siç mund ta jeni në dijeni, në datën 22 korrik 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 17 amendamente kushtetuese të nevojshme për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke synuar ndryshimin e imazhit të tij, duke e bërë atë më të pavarur, llogaridhënës dhe efikas. Këto ndryshime kushtetuese, ndër të tjera, përfaqësojnë zbatimin e Ligjit të Verifikimit, i njohur si rivlerësimi i përkohshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Procesi i rivlerësimit të anëtarëve të sistemit gjyqësor, i njohur ndryshe si procesi i verifikimit (vetting), filloi në nëntor 2017 dhe do të përfshijë mbi 800 gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe një numër të punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më sot, nga rezultatet e procesit të verifikimit, në Gjykatën e Lartë vetëm 4 gjyqtarë kanë kaluar procesionin e rivlerësimit dhe dy prej tyre janë ende në procedurat e rishikimit në Kolegjin e Apelimit.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është institucioni që është goditur më rëndë nga procesi i rivlerësimit. Nga nëntë anëtarë, vetëm dy prej tyre kanë kaluar me sukses procesin dhe njëri prej tyre është në procesin e apelimit para Kolegjit të Apelimit.

Askush në Shqipëri nuk është në gjendje të parashikojë kur do të krijohen dhe do të bëhen funksionale Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Rrjedhimisht, askush në Shqipëri nuk mund të japë përgjigje për kohën se kur do të gjykohet rekursi i AIS-së në Gjykatën e Lartë dhe, nëse është e nevojshme, në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, çështja e kërkesës dhe e gjithë situata humbet aktualitetin, sepse kërkesa për transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje u paraqit në vitin 2015, dhe ende nuk ka përgjigje përfundimtare nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme vendore do të zhvillohen në qershor 2019.

Gjithashtu, duam të shtojmë në kërkesën e AIS përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut argumentet ligjore dhe kërkesën për shqyrtimin e pretendimit për shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga Shqipëria.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rastin Magyar Helsinki Bizottsag kundër Hungarisë ka pranuar se një e drejtë e tillë për informim ose detyrim për të dhënë informacion mund të lindë në dy kategori rastesh: (1) kur dhënia e informacionit është vendosur me vendim gjyqësor të ekzekutueshëm dhe (2) në rrethanat ku aksesi në informacion është i dobishëm për ushtrimin e të drejtës së individit për lirinë e shprehjes dhe kur mohimi i saj përbën një ndërhyrje në atë të drejtë.

Më tej, Gjykata ka përcaktuar katër parime, të marra nga rastet e fundit të jurisprudencës së saj në lidhje me aksesin në informacion, të cilat mund të përdoren për të përcaktuar nëse një mohim i aksesit përfshihet në kategorinë e dytë të rasteve.

Qëllimi i kërkesës për informacion: është një kusht, përpara shqyrtimit të sferës së zbatimit të Nenit 10, ku informacioni që kërkohet të jetë i nevojshëm për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes. E drejta e votimit mund të konsiderohet si liri e shprehjes dhe njohja përpara datës së zgjedhjeve me  financimet e partive politike është parakusht për zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo mund të vlerësohet kur mohimi i dhënies së informacionit do të pengonte ose dëmtonte ushtrimin e të drejtës së individit.

Natyra e informacionit të kërkuar: informacioni për të cilin kërkohet akses, në përgjithësi, duhet të përmbushë “testin e interesit publik”, në mënyrë që dhënia e tij të jetë i nevojshëm sipas nenit 10.

– Roli i kërkuesit: kur individi kërkon akses në informim me qëllim të informimit të publikut në cilësinë e tij si vëzhgues publik ose shoqëror, kjo do të jetë një vlerësim i rëndësishëm në përcaktimin nëse zbatohet Neni 10.

Informacioni i gatshëm dhe i disponueshëm: shkalla në të cilën informacioni i kërkuar është i gatshëm dhe i disponueshëm, gjithashtu, do të jetë një kriter i rëndësishëm kur përcaktohet nëse Neni 10 është i zbatueshëm për një rast kur një individi i është mohuar aksesi në informim.

Bazuar në këto kushte, ju lutem merrni parasysh kërkesën tonë për të shqyrtuar edhe themelin e rastit të paraqitur në kërkesën AIS kundër Shqipërisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut të paraqitur në  datën 18 maj 2016 lidhur me shkeljen e nenit 6, nenit 10 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane. Gjithashtu merrni në konsideratë dhe mundësinë e përshpejtimit të procedurës për shqyrtimin e kërkesës/ankesës së AIS-it në Strasburg, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Duke shpresuar se kërkesa jonë do të merret parasysh.

Aranita Brahaj –
Drejtore Ekzekutive e AIS

Përfaqësuesi Ligjor  Avokat Viktor Gumi

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Këshilli i Evropës

Etapa të mëparshme të Procesit Gjyqësor AIS vs Parti Politike për Transparencë me Financat Elektorale

Programi Ekskluziv zbardh të dhëna të raporteve mbi deklarimin e pasurisë së Deputetëve

Vetting dhe kontroll i aseteve, pasurive dhe interesave ekonomike për Përfaqësues të Politikës Ligjvënës. Kjo ka qenë një nga çështjet e diskutuara dhe konkretizuar edhe më një propozim ligjor në Parlamentin e Shqipërisë. AIS promotor për Open Data Albania dhe Instituti i Studimeve Politike kanë analizat e tyre mbi përfaqësimin në parlament të njerëzve me pushtet ekonomik, konfliktin e interesave për deputet biznesmen, lidhje të parasë me politikën. Programi televiziv Ekskluziv në TV kombëtar Top Chanell, ka investiguar mbi përmasat e fenomenit dhe nevojën për një vetting mbi Pasurinë e Deputetëve. Investigimi ka titullin Varfëria e Milionerëve. Në datën 21 Dhjetor 2018 në kuvend u votua kundër ligjit të propozuar nga Partia Demokratike për Vetting për figurën e Deputetit.

Workshop mbi “Sistemet Elektronike të Deklarimit të Pasurive për Maksimizimin e Transparencës”

Në kuadër të projektit të USAID, “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”, AIS është duke organizuar një workshop për Inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me temën “Sistemet Elektronike të Deklarimit të Pasurive për Maksimizimin e Transparencës”.

Nëpërmjet këtij workshop-i, Inspektorët do të mund të diskutojnë me eksperten ndërkombëtare mbi eksperiencat e tyre, kuadrin ligjor në vend e do të mund të njihen me praktika të mira të shteteve të ndryshme.

Materialet e këtij aktiviteti mund të aksesohen në linkun në vijim:

  • Kurrikula e trajnimit (PDF)
  • Studim kërkimor krahasues (PDF)
  • Projektimi i një Sistemi të Deklarimit të Aseteve me dorëzim dhe publikim online (PDF)
  • Praktika të mira nga Sisteme Deklarimi të ngjashme (PDF)
  • Standardet e publikimit në përputhje me kuadrin ligjor (PDF)

DataThon 2018 – Si shpenzon Bashkia ku unë paguaj Taksa ?

AIS, organizatë promotore për të dhëna të hapura dhe grant marrëse e programit Lëviz Albania organizon eventin DataThon 2018.

Slogan i eventit:           Si shpenzon Bashkia ku unë paguaj Taksa.

DataThon është një marathon dy ditore për të gjetur, analizuar, vizualizuar dhe shpjeguar me fakte të thjeshta, procese të buxhetimit, kontraktimit, prokurimit dhe të tjera, që lidhen me menaxhimin e parave publike nga Bashkitë.

Ftohen gazetar, aktivist, individ që njohin standardit OpenData dhe kanë njohuri në ICT, të aplikojnë për të marrë pjesë në DataThon.

Ku do të zhvillohet kjo Maratonë?

Në fshatin më turistik të vendit Voskopojë!

Kur do të zhvillohet kjo Maratonë?

Në datën 2 Nëntor 2018, nisja nga Tirana bëhet në datën 1 Nëntor 2018 mbasdite

Çfarë duhet bërë?

Sillni një ide, eja dhe punoni me grupin tuaj, vizualizoni dhe shpjegoni thjesht një proces që lidhet me shpenzimet dhe buxhetet bashkiake.

Ku mund ti gjej të dhënat për të punuar: OpenProcurement.Al ; OpenCorporates.al; spendingdata.al; FinancatVendre.al etj

Ku do të publikohen punimet?

tek Porta Vendore, në Blogun e AIS dhe në çdo media që i sheh me interes

A ka çmime për më të mirët?

Patjetër! Veç kënaqësisë së pjesëmarrjes në marathon, shijes së punës në një zonë plot natyrë, energjive së një eventi me mjaft bashkëpjesëmarrës kreativ, më të mirët si grup fitojnë Çmimi e Parë .

Si mund të aplikoj:

Gazetarët apo aktivistët duhet të përzgjedhin një temë apo ide. IT tanë duhet thjesht të shkruajnë një togfjalësh apo frazë çfarë i motivon të jenë pjesë. Kjo ide do të punohet në grupe me 2-3 persona gjatë ditës së Maratonës dhe do të prezantohet në fund. Ju aplikoni si individ, grupet do të krijohen gjatë në start të eventit. Për të aplikuar klikoni këtu

A ka një Juri?

Patjetër që ka, por edhe vetë pjesëmarrësit do votojnë për idenë më të mirë.

Kur do të njoftohemi për përzgjedhjen: brenda 10 ditëve nga regjistrimi, juve do tju vijë një Biletë për Pjesëmarrje.

Nëse nuk përzgjidhem si pjesë e grupeve, a mund të jem në Event:

Maratona është e hapur, kushdo mund të vijë dhe të angazhohet, por AIS mbulon shpenzime të udhëtimit dhe akomodimit vetëm për të përzgjedhurit që marrin konfirmim.

Fjalë Hashtag #LevizAlbania #DataThon #OpenData #OpenBudget #OpenSpending #FactBasedJournalism #OpenContracting #OpenProcurement #shto edhe një hashtag që identifikon punën apo projektin tuaj për qeverisje lokale dhe komunitet më të mirë.

 

Tema të mundshme:

  • Sa shpenzon një bashki për shërbime? A ka mjaftueshëm investim në kopshte rrugë dhe infrastrukturë?
  • Cilat janë bashkitë që nuk kanë marrë asnjë projekt nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve? Cilat janë projektet që ka mbështetur ky fond për zhvillim dhe a kanë impakt të duhur?
  • Performanca e Bashkisë në mbledhje taksash? Sa është e ardhura e taksave për frymë, po shpenzimi për një banor?
  • Investigo për një nga tenderat me RedFlag! Përtej shënimit që bën sistemi, çfarë qëndron pas një procedure me mungesë gare dhe konkurrence?
  • Biznese që fitojnë tender vetëm me negocim dhe pa konkurrent?
  • Biznese që kanë fituar më shumë se 30% të vlerës së tenderëve të një bashkie të caktuar?
  • Kontraktor në lidhje apo konflikt interesi????
  • Biznese që ofrojnë edhe mallra edhe shërbime edhe investime, të gjithanshëm apo preferencial në prokurim???
  • Buxhetim me pjesëmarrje? Duhet infrastrukturë por shpenzohet në shërbime?! Shpërndarja e (pa)drejtë e buxheteve.
  • Si pasurohet kryebashkiaku im, a ka kryebashkiak që përfitojnë direkt dhe indirekt nga investimet e bashkisë???
  • Temë tjetër e zgjedhur dhe propozuar nga ju.

Pse duhet të marr pjesë?!

Sepse në maratonë duhen gazetar që zbardhin të vërtetën, aktivist që luftojnë për qeverisje më të mirë!

 

Integrimi i algoritmit Red Flag në procesin e vlerësimit të riskut në Kontrollin e Lartë të Shtetit

Integrimi i algoritmit Red Flags në procesin e vlerësimit të riskut në Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH) është një nga shtyllat e projektit “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”, të financuar nga Agjensia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga University Research Company, LLC (URC).


Pas një serie takimesh me stafin e KLSH-së, në mënyrë që të përfshiheshin në këtë algoritëm indikatorët e nevojshëm që do të lehtësonin punën e audituesve të lartë, instrumenti redflag është publikuar online. Algoritmi Red Flags është përfshirë në bazën e mirë-strukturuar të të dhënave që përmban procedurat e tenderave të realizuara nga institucionet e sektorit të shëndetësisë prej 1 Janarit 2016.

Red Flag është një metodologji për vlerësimin e cilësisë dhe skanimin e procedurave të prokurimit. Ai përzgjedh dhe shënon në mënyrë automatike, nëpërmjet algoritmeve, disa procedura që paraqesin shenja për rrezik të mundshëm për sjellje të paligjshme, joetike, me risk të lartë për favorizim, mungesë konkurrence dhe rrezik potencial për pabarazi në garë.

Baza e të dhënave dhe algoritmi Red Flags fuqizojnë disa grupe civile si:

• taksapaguesit, të cilët kuptojnë se si po shpenzohen paratë e tyre

• pacientët, të cilët vlerësojnë dhe reagojnë mbi kontraktime që lidhen me cilësinë e shërbimit dhe infrastrukturës në shëndetësi

• gazetarët, për të përgatitur raportime të bazuara në fakte

• aktorë të tjerë, pjesë e programeve për transparencë dhe monitorim

Instrumenti RedFlag është përfshirë në bazën e të dhënave me qëllimin e mirë për të ndihmuar institucionet publike të auditimit të marrin në kohë reale sinjale mbi tendera dhe kontrata me probabilitet për keqpërdorim, klientelizëm apo korrupsion.

Prokurime të Fondit Shqiptar të Zhvillimit nga janar 2015, online një databazë sipas standardit OpenContracting

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një nga institucionet më të rëndësishme publike. Projektet e tij mbulohen nga Buxheti i Shtetit dhe kreditimi i Institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Prokurimi i punëve civile të FSHZH janë prokurime me rëndësi të veçantë për shkak të vlerave të larta dhe impaktit që duhet të krijojnë në sektorin publik. AIS ka përgatitur një databazë për secilin prokurim sipas standardit OpenContracting. Çdo individ mund të gjej aty të dhëna për tendera, fonde limit, oferta fituese, operator fitues, operator të skualifikuar, afate dhe terma kontratash. Të dhënat mund të filtrohen duke mundësuar analizë sipas vendosjes gjeografike të investimeve, kontraktimit me subjekte të caktuara të huaja apo vendase, tip procedurave të aplikimit në tenderim, kategorive të projekteve sipas vlerës dhe nivelit të konkurueshmërisë në garë. Të dhënat do të përditësohen çdo ditë duke u bërë të mundur taksapaguesve të monitorojnë kontraktime që lidhen me para dhe të mira publike.

Asset Declaration, interesa ekonomike dhe pasurore të Kryebashkiakëve

Cilat janë interesat ekonomike të Kryebashkiakëve? Asset Declaration është një proces i kontrollit të integritetit, interesave dhe pasurisë së zyrtarëve të nivelit të lartë. Në vendin tonë Kryebashkiakët si drejtues të nivelit të lartë dhe të zgjedhur me votë kanë detyrim të bëjnë deklarim të aseteve pranë institucionit Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Kontrollit të Interesave. Por aktualisht asset declaration nuk janë të publikuara në web të Inspektoriatit apo në web të bashkive. Para dhe Pushtet është një databazë me akses publik, krijuar nga AIS duke aplikuar të drejtën për akses informacioni. Në këtë rubrikë janë të zbardhura të gjitha deklaratat pasurore të Kryebashkiakëve në vite. Çdo qytetar mund të bëjë kërkim dhe kontroll online për tu njohur me interesa pasurore dhe ekonomike të kryebashkiakut të tij dhe anëtarëve të familjes. Të tjera analiza mbi të ardhura dhe interesa ekonomike për Kryebashkiak gjenden tek Open Data Albania.

Open Corporates Albania – Monitoro Klient të Bashkive

Monitoro Klient të Bashkive, është një nga projektet e AIS për transparencë me Bashkitë. Projektit ka si rezultat kryesor databazën Open Corporates Albania. Në këtë databazë janë të dhëna ekonomike të subjekteve të biznesit që kanë fituar tendera dhe kontrata me bashkitë. Databaza prezanton Kontraktorët Privat të Bashkive, bën te njohur se kush janë zotërues dhe drejtues të tyre,prezanton performancën ekonomike dhe historikun e aktivitetit ekonomik. Këto subjekte ekonomike pasi fitojnë një tender bëhen implementues të shërbimeve, punëve apo veprave publike. Gjithashtu publiku njihet edhe me faktin se kush qëndron pas këtyre kompanive që fitojnë të drejtën e Kontraktorit me Njësi të Qeverisjes Vendore. Për secilën shoqëri biznesi është ndërtuar një pasaportë sipas standardit OpenCorporate dhe në këtë pasaportë është edhe lista e tenderave të fituar sipas bashkive gjatë periudhës 2015 dhe ongoing.

Si shpenzohen para të taksapaguesve, Pagesa të bashkive përmes Transaksione Thesari

Ku shkojnë para të taksapaguesve? Për çdo bashki apo institucion buxhetor në vend, databaza e mirëstrukturuar për Pagesa Thesari bën të mundur transparencë të plotë për çdo pagesë të bërë nga Thesari i Shtetit drejt Klientëve. Sistemi ka të dhëna autentike me burim Ministrinë e Financave por ofron një mirëstrukturim që filtron të dhënat sipas kërkimit me datë pagese, kategori shpenzimi, subjekt përfitues, numër dhe përshkrim fature, kategori dhe vlere. Për çdo bashki taksapaguesit dhe qytetarët mund të monitorojnë pagesat buxhetore duke vendosur në filtrin e kërkimit për autoritetin pagues, emërtesën e bashkisë apo institucionit buxhetor që dëshirojnë të monitorojnë. Të dhënat janë të plota që prej vitit 2012.

Tendera dhe Kontrata, njihu me projekte dhe punë civile për çdo bashki

Nga korrik 2015 datë e fillimit të funksionimit të 61 Bashkive sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative deri korrik 2018, Bashkitë kanë prokuruar mbi 18 mijë kontrata për blerje mallrash, porosi shërbimesh, realizimi punë publike, qiradhënie, ankande apo kontrata koncesionare Partneritete Publike Private. Në databazën Open Procurement Albania për secilin tender është krijuar një pasaportë me të dhëna në formatin OpenContracting. Gjithashtu databaza ofron informacion të mirëstrukturuar dhe me mundësi të kërkimit të prokurimeve sipas autoritetit prokurues, konkurrentit fitues, vlerës, llojit të kontratës, nivelit të konkurueshmërisë, datës së shpalljes së tenderit etj. Sistemi ka edhe një strukturë algoritmi ku çdo kontratë i nënshtrohet një skanimi automatik dhe në bazë të disa kritereve tenderi markohet me RedFlag. Algoritmi redflag ka markuar 10% të totalit të tenderave të bashkive duke shfaqur kështu raste me risk për mungesë gare, pabarazi, favorizim dhe abuzim ekonomik. Të dhënat e databazës janë të përdorura në dhjetëra shkrime investigative në median shqiptare.