Diskutimet rreth Teatrit Kombëtar filluan në mars të vitit 2018 me paraqitjen nga kryeministri Rama të një projekti ndërtimi për një teatër të ri. Megjithatë, me sipërfaqe prej 3000 m², projekti i Teatrit të ri Kombëtar zë më pak se gjysmën e sipërfaqes fillestare. Pjesa tjetër synohet të përdoret për ndërtimin e ndërtesave të larta dhe një qendre komerciale. Rama argumentoi se rinovimi i godinës 80- vjeçare të teatrit të vjetër do të ishte “i pamundur”, kështu që në vend të rinovimit, miliona euro fonde publike do të duhen të shpenzoheshin për një partneritet publik privat (PPP).
Projekti i ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar duhet të ishte realizuar përmes një ligji të posaçëm të miratuar nga Parlamenti, ku Rama ka shumicën absolute. I ashtuquajturi “Ligji Fusha” (duke marrë emrin e kompanisë Fusha shpk, e cila planifikohej të lidhte kontratën), nxori në pah mangësi serioze, si dhënia e një prone shtetërore pa tender. Në momentin që njerëzit mësuan lajmin e këtij ligji të posaçëm të planifikuar, artistët dhe aktivistët krijuan “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, me të cilën u bashkuan edhe shumë figura të njohura publike, si historianë, akademikë dhe gazetarë. Ata organizuan protesta, iniciuan një peticion, iu drejtuan organizatave vendase dhe ndërkombëtare dhe filluan të ndërmerrnin veprime ligjore. Për një periudhë 27 mujore, Aleanca e mbrojti teatrin nga prishja.
Në korrik të vitit 2018, edhe Komisioni Evropian i kërkoi qeverisë shqiptare të qartësojë arsyet e miratimit të këtij ligji të posaçëm. Një prej 15 pyetjeve që përmbante kjo letër ishte pikërisht nëse ky ligj i posaçëm ishte i pajtueshëm me detyrimet e Shqipërisë në kuadrin e procesit të Stabilizim Asociimit. Edhe Thorsten Frei (Anëtar i Parlamentit), në atë kohë raportues për Shqipërinë në Grupin Parlamentar të CDU/CSU në Komisionin e Punëve të Jashtme të Bundestagut, shprehu dyshime gjatë një interviste: “Ligji i posaçëm për Teatrin Kombëtar është tejet i paqartë, kur behët fjalë për përputhshmërinë e tij me legjislacionin e BE-së dhe me Kushtetutën shqiptare. Siç e shoh unë, presidenti Meta e ktheu me të drejtë atë ligj në Parlament. Çështja e Teatrit Kombëtar do të tregojë qartë se sa seriozisht e merr Edi Rama anëtarësimin në BE”.
Më 25 korrik 2019, presidenti Ilir Meta depozitoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen jokushtetues të ligjit të posaçëm për Teatrin Kombëtar. Duke qenë se Gjykata nuk ishte funksionale në atë kohë, kjo ankesë u dorëzua për shqyrtim në fund të vitit 2019. Më 30 dhjetor 2019, gjykata kushtetuese i kërkoi Parlamentit, Këshillit të Ministrave, ministrit të Financës, ministrit të Kulturës dhe Bashkisë Tiranë që të paraqiste argumentet për ligjin e posaçëm. E megjithatë, kjo çështje nuk ka dalë ende para gjykatës.
Në shkurt të vitit 2020, Bashkia Tiranë, shpalli se projekti për ndërtimin e teatrit të ri nuk do të realizohej siç pritej.
Fusha shpk nuk ishte në gjendje ta vazhdonte projektin brenda një kohe të shkurtër dhe në përputhje me kërkesat.
Pas një heshtjeje të gjatë mbi fatin e teatrit, në maj të vitit 2020, qeveria shqiptare zgjodhi t’ia jepte tokën ku ngrihet Teatri Kombëtar, Bashkisë Tiranë me qëllim marrjen e vendimit për prishje. Presidenti Meta depozitoi një tjetër ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij vendimi. Pavarësisht kësaj, në mbrëmjen e 14 majit, Këshilli i Bashkisë Tiranë miratoi fshehtazi prishjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Vendimi nr. 50, miratuar nga Këshilli Bashkiak, më 14 maj 2020 shprehet se ndërtesa duhet të prishet në bazë të ekspertizës së Institutit të Ndërtimit. Ky raport është hartuar vetëm një dite më pare, më 13 maj 2020 dhe vërteton se ndërtesa nuk është e përshtatshme për kryerje aktivitetesh dhe se, pavarësisht çdo rinovimi, ajo nuk mund të bëhet e sigurt. Vendimi i Këshillit Bashkiak autorizon gjithashtu Institutin e Mbrojtjes së Territorit të evakuojë, të hyjë në ndërtesë dhe më pas ta prishë atë. Në vendim nuk përcaktohet data e prishjes.
Votimi i Këshillit Bashkiak nuk ka bazë ligjore. Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak mund të marrë vendime vetëm për objekte që i përkasin bashkisë. Në këtë rast, ndonëse bashkia është pronare e tokës ku ngrihet teatri, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vetë godinën. Ndërsa, dokumenti i ekspertizës është një akt administrativo-ligjor që mund të jetë objekt vetëm i rishikimit gjyqësor. Një institucion politik si Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka asnjë lloj juridiksioni mbi një akt juridik të paraqitur nga një institucion i qeverisë qendrore. Përveç kësaj është e paqartë se si është bërë votimi. Nuk ka pasur asnjë njoftim publik për takimin e Këshillit Bashkiak siç parashikohet me ligj. Përfundimisht, vendimi i Këshillit Bashkiak hyn në fuqi vetëm 10 ditë pas njoftimit, dhe nuk është vendim me efekte të menjëhershme.
Edhe avokati i popullit ka iniciuar një hetim administrativ për transferimin e pronësisë së tokës së Teatrit Kombëtar Bashkisë Tiranë. Ky hetim ka për qëllim të vlerësojë “nëse veprimet e institucioneve shtetërore kanë qenë në shkelje të të drejtave të qytetarëve”.
Presidenti Meta ju referua vendimit të marrë nga qeveria dhe Bashkia Tiranë për prishjen e Teatrit Kombëtar si një “aktivitet i mirëstrukturuar kriminal”; vendimet dhe veprimet e qeverisë kanë qenë të “pabesueshme”.
Është një krim i “pafalshëm kushtetues, ligjor dhe moral”, sidomos në një moment ku ligjshmëria e prishjes është ende objekt i gjykatës kushtetuese.”
Partia Demokratike (PD), ka kundërshtuar pa u lodhur prishjen e Teatrit Kombëtar, ka kërkuar rinovimin e tij të plotë ne respektim të vlerave te tij kulturore dhe historike. Vetëm disa ditë më pare, kryetari i PD-së Lulëzim Basha e përshkroi prishjen e teatrit si “vijën e kuqe” dhe deklaroi se: “Çdo akt i prishjes së teatrit është një akt lufte jo vetëm kundër artit dhe artistëve , por edhe kundër vetë qytetarëve”. Në prag të prishjes së teatrit, Basha, shoqëruar nga drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) Monika Kryemadhi dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, bllokuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në qendër të kryeqytetit.
Në nivel ndërkombëtar, kritikat kryesore kanë qenë mungesa e mirëkuptimit për mënyrën se si është prishur teatri, në mes të pandemisë së COVID-19, si dhe mungesa e dialogut. Në postimin e tij në Facebook, ambasadori gjerman në Tiranë është shprehur:
“E kam të vështirë të kuptoj prishjen e nxituar të teatrit kombëtar sot në orët e para të mëngjesit, në atë formë që e kemi dëshmuar vetë. Sidomos gjatë gjendjes aktuale të jashtëzakonshme, dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe qeverisja transparente janë jashtëzakonisht të rëndësishme.”
Ndërsa kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, gjatë paraqitjes së tij të parë publike, pas prishjes së teatrit, u bëri thirrje artistëve të punonin së bashku për teatrin e ri. Ai e përshkroi vendimin e prishjes së godinës si “më të vështirin në jetën e tij”, por shtoi se “ishte vendimi i duhur”. (…) “Unë do t’ju mbështes për krijimin e një projekti më të mirë. Në fund është produkti ai që do të mbizotërojë”, tha Veliaj duke shtuar se – “Teatri i vjetër ka ikur, është koha për tu bërë bashkë”. Veliaj shpjegoi se Instituti i Ndërtimit e kishte klasifikuar godinën si “të rrezikshme” dhe se ajo nuk ishte një monument kulturor dhe as nuk ishte në listën e trashëgimisë së mbrojtur kulturore. Më parë, kryeministri Edi Rama kishte predikuar pa pushim se ajo godinë ishte një “kuti e vjetër” që duhet të prishej për të ndërtuar një godine të re dhe më moderne për teatër.
16 organizatat e shoqërisë civile e dënuan prishjen e Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare si dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuese gjatë shpërndarjes së tyre.
Në një deklarate për shtyp ata paralajmëruan se prishja e teatrit gjatë kësaj periudhe u hap rrugën rreziqeve më të mëdha të shtypjes së lirisë së mendimit dhe rezistencës qytetare. Ata u bënë thirrje institucioneve vendase dhe ndërkombëtare dhe ambasadave për të reaguar ndaj tendencave autoritare të qeverisë shqiptare.
Organizatat shtuan se demokracia, të drejtat themelore të njeriut dhe ekzistenca e shoqërisë civile nuk kanë qenë kurrë në rrezik më shumë se sot në Shqipëri. Sipas raporteve të mediave, Prokuroria Anti-korrupsion (SPAK) ka iniciuar procedimet pas akuzave të ngritura nga “Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” më 6 maj. Aleanca ka akuzuar kryetarin Veliaj për shpërdorim të detyrës dhe për korrupsion. Aleanca ka paditur gjithashtu 3 inxhiniere ndërtimi që hartoi raportin e ekspertizës për prishjen e teatrit për shpërdorim të autoritetit të tyre. Për shembull, aleanca ka deklaruar se raporti i ekspertizës i paraqitur nga inxhinierët bazohej në dokumente të falsifikuara. Thuhet se 3 prej 5 inxhinierëve që kanë hartuar këtë raport nuk e kanë ekzaminuar asnjëherë personalisht ndërtesën e Teatrit Kombëtar.
Masat e marra nga qeveria shqiptare po ndodhin në një moment që mesa duket është një moment taktik për të. Shqipëria i ka ulur masat për pandeminë e Covid-19 dhe pothuaj se të gjitha kufizimet janë hequr ose janë liruar ndjeshëm. Megjithatë situata e jashtëzakonshme, kufizimet e së cilës përfshijnë lirinë e organizimit, do të mbeten në fuqi deri më 23 qershor. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse qeveria vazhdoi me prishjen e teatrit pikërisht tani, pasi ata mund të kenë parashikuar se do të përballeshin me më pak protesta, duke qenë se njerëzit do të kishin të tjera probleme për shkak të dëmeve ekonomike dhe sociale qe ka shkaktuar Covid-19.
I.
ANKESAT E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, më datë 24.07.2019, presidenti i Republikës, me cilësinë e tij si palë kërkuese, në Gjykatën Kushtetuese ka kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së posaçme për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimin dhe zbatimin projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, miratuar nga Kuvendi më 5.07.2018 dhe më 20.09.2018 si akte ligjore, të cilat:
- Nuk përputhen me parimet bazë të Kushtetutës
- Janë në konflikt të drejtpërdrejtë me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
- Cenojnë rëndë identitetin dhe trashëgiminë kombëtare shqiptare.
- Nuk garantojnë mbrojtjen e pronës publike
- Cenojnë parimin e sigurisë juridike në lidhje me ushtrimin e të drejtave të pronësisë mbi të drejtat e pronësisë private
- Janë në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, ku bazohet shoqëria shqiptare
- Janë në kundërshtim me aktet ndërkombëtare, që Republika e Shqipërisë i ka nënshkruar apo ratifikuar
- Bien ndesh me dispozitat e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit
- Dispozitat e këtij ligji përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencë të lirë dhe bien ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të barazisë para ligjit dhe lirisë së aktivitetit ekonomik të qytetarëve, duke shkelur kështu funksionimin e shtetit të së drejtës
- Cenojnë rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të qeverisë vendore të decentralizimit dhe autonomisë vendore, dukë kundërshtuar në të njëjtën kohë parimet e ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve
- Janë në kundërshtim me jurisprudencën kushtetuese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, sa i përket parimit të funksionimit të organeve të qeverisë vendore dhe ushtrimit te kompetencave të tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore
- Paraqesin mangësi dhe pasiguri të konsiderueshme sa u përket përfitimeve ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren të përshtatshëm për shpërdorim të pronës publike dhe cenim të interesit publik
Në te njëjtën kohë, Presidenti i Republikës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë një datë sa më të afërt që të jetë ë mundur për rishikimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, siç është dëshmuar qartësisht dhe publikisht, palët e interesuara në këtë proces (Bashkia Tiranë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Kulturës, Ministria e Financës dhe Ekonomisë) kanë vazhduar procedurat për zbatimin e këtij ligji jokushtetues, i cili parashikonte dhe ka rezultuar në prishjen e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar.
Gjykata Kushtetuese përmes vendimit nr. 4 date 30 dhjetor 2019, “Njoftim për transferim të çështjes në seancë plenare dhe për vazhdimin e saj” e ka informuar presidentin e Republikës se Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur më 24.12.2019 t’ia përcjellë për rishikim kërkesën e presidentit të Republikës seancës plenare me dyer të hapura.
Më 21 janar 2020, presidenti i Republikës paraqiti disa argumente shtesë para Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave: “Nëse teatri do të prishej përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë pasojat do të ishin të pariparueshme. Ky fakt duhet të merret parasysh.” Në këtë letër, presidenti i Republikës, e ka informuar ndër të tjera Gjykatën Kushtetuese se shqetësimi në lidhje me vazhdimin e procedurës, e cila konsiderohet tërësisht jo kushtetuese është pasuar edhe nga disa aktorë përfshirë edhe presidentin ekzekutiv të Lëvizjes për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Europa Nostra ,“një lëvizje që ka kërkuar mbrojtjen e “Teatrit të çmuar Kombëtar”, i cili është nominuar si pjesë e fushatës së shoqërisë civile në Evropë mbrojtjen e sajteve më të rrezikuara për vitin 2020, duke e vënë atë në dispozicion të gjykatës.
Në letrën e datës 30 dhjetor 2019, gjykata kushtetuese e informon gjithashtu presidentin e republikës se data e seancës do të përcaktohet në një moment të dytë, sapo Gjykata Kushtetuese të ketë kuorumin e nevojshëm për ta shqyrtuar kërkesën në seancë plenare sipas nenit 31, pika 1 e ligjit nr. 8577/2000 “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar.
Më 14 maj 2020, presidenti ka paraqitur një ankesë të dytë në Gjykatën Kushtetuese, ku ka kërkuar shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020, të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Bashkisë Tiranë të pronës nr. 1/241 me titull “Teatri Kombëtar”, zona kadastrale 81/50, Tiranë si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Këshilli i Ministrave në vendimin e tij, pikërisht në pikën 1, shprehet se “Me transferimin e pronësisë Bashkisë Tiranë të “Teatrit Kombëtar”, kjo bashki duhet të vazhdojë procedurat për prishjen e ndërtesave të teatrit dhe ndërtimin e godinave të reja. Sipas presidentit, “Përmes këtij akti”, shqiptarët kudo që ndodhen sot po urdhërohen të humbasin një pronë publikë me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar të mishëruara në këto godina, synohet të zhdukën dhe kujtesa jonë e përbashkët kolektive të humbasë”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave vazhdon të mbartë qëllimin jokushtetues të cenimit të pronave në zotërim publik që lidhet ngushtë me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe me identitetin kombëtar.
Kështu, është e qartë se përmes shprehjes në pikën 1 të këtij vendimi, ku citohet “ Me qëllim ndërtimin e një ndërtese bashkëkohore dhe me standarde te Teatrit Kombëtar”, shoqëruar me shprehjen ne pikën 2, sipas së cilës “Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar ne pikën 1 të këtij vendimi”, qëllimi për prishjen e godinave aktuale të kompleksit të Teatrit Kombëtar është imponuar dhe urdhëruar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak i mbetet veçse të zbatojnë këtë vullnet politik të qeverisë dhe kryeministrit.
Në thelb, edhe ky akt i Këshillit të Ministrave, ndonëse i referohet një forme dhe procedure të përzgjedhur mbulohet argumenti i një vendimi rutine të transferimit të pronësisë së një prone publike nga qeveria qendrore në qeverinë vendore përmban të njëjtat probleme kushtetuese dhe të njëjtat rreziqe, si edhe ligji i posaçëm nr. 37/2018, i cili është aktualisht nën shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese.
Që të dy këto akte – ligji nr. 37/2018 dhe VKM nr. 377/2020, shprehin qartë të njëjtin qëndrim politik: Prishjen e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, të cilat do te përbenin shkeljen më të rëndë të parimeve kushtetuese qe lidhen me identitetin dhe trashëgiminë kombëtare shqiptare, vlerat e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë aderon ose ka ratifikuar.
II.
VENDIMI PËR PRISHJEN E GODINËS SË TEATRIT KOMBËTAR NGA KËSHILLI BASHKIAK I TIRANËS
Vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar te Shqipërisë u miratua fshehurazi dhe nuk ishte në axhendën e takimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, i cili është i vetmi anëtar që përfaqëson opozitën në Bashki, ka nxjerrë disa email-e ku tregon se takimi për të votuar për prishjen e Teatrit Kombëtar planifikohej për datën 15 maj, në mesditë.
Megjithatë, Këshilli Bashkiak publikoi miratimin e vendimit në mbrëmjen e 14 majit. Kjo, pavarësisht faktit se nuk kishte njoftim zyrtar që Këshilli do të takohej dhe do të votonte më datë 14 maj.
Mbetet e paqartë se si është marrë ky vendim, si është bërë votimi, nëse ka ndodhur realisht votimi dhe pse ka ndodhur 24 orë para se të ishte planifikuar zyrtarisht. Mund të nevojitet një hetim administrativ për të hedhur dritë mbi një çështje të tillë me kaq shumë interes publik.
Sipas Topollaj, kronologjia e ngjarjeve është si vijon:
-Në mëngjesin e 13 majit, anëtarët e këshillit bashkiak janë njoftuar me email për një takim online. Diskutimi i teatrit kombëtar nuk ka qenë pjesë e axhendës së këtij takimi.
-Në mëngjesin e 14 majit, anëtaret janë njoftuar me email, se gjatë takimit, ata do të votonin për prishjen e Teatrit Kombëtar. Çështja nuk do te diskutohej, por anëtarët do te duhej te votonin me email brenda mesditës se 15 majit.
-Papritur dhe pa njoftim paraprak, në mbrëmjen e 14 majit, shtypi publikoi vendimin e Këshillit Bashkiak ku miratohej prishja e Teatrit Kombëtar me 60 nga 62 vota të mundshme pro.
-Pas publikimit të këtij vendimi, Bashkia njoftoi anëtarët e Këshillit Bashkiak për një takim që do të zhvillohej më 18 maj, në orën 11 paradite, ku do të diskutohej ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Në mbrëmjen e ditës së enjte, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar në mënyre të fshehte prishjen e Teatrit Kombëtar shqiptar. Vendimi nr. 50, date 14 maj 2020 shprehet se ndërtesa do te prishej në baze të ekspertizës se Institutit të Ndërtimit. Në këtë vendim thuhet gjithashtu se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka të drejtën të rrethojë, të hyje dhe më pas të prishë godinën. Ky vendim, nuk përcakton asnjë datë për prishjen, por thotë se do ta njoftojë bashkinë 24 orë përpara se të hyje në godinë.
Dokumenti i ekspertizës i hartuar nga Instituti i Ndërtimit është hartuar vetëm një ditë para 13 majit dhe thotë se kjo godinë nuk është e përshtatshme për kryerje aktivitetesh dhe pavarësisht rinovimeve, ajo nuk mund të bëhet e sigurt.
Votimi qe u zhvillua më vonë për përmbajtjen e tij nga Këshilli Bashkiak nuk bazohet në ligj:
Së pari Këshilli Bashkiak mund të marrë vendime vetëm në bazë të diçkaje që i përket Bashkisë. Në këtë rast, ndonëse toka ku ngrihet teatri i përket vërtet Bashkisë, vetë godina nuk i përket asaj.
Së dyti, dokumenti i ekspertizës është një akti administrativo-ligjor që mund të rishikohet vetëm nga shqyrtimi gjyqësor. Një institucion politik si ai i Këshillit Bashkiak Tiranë nuk ka asnjë lloj juridiksioni mbi një akt ligjor të nxjerrë nga një institucion i qeverisë qendrore.
Së treti, është e paqartë se si është zhvilluar votimi. Nuk është bërë asnjë njoftim për takimin e Këshillit Bashkiak siç kërkohet me ligj.
Së katërti, ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak nuk parashikon votimin e anëtarëve me email.
III.
PËRDORIMI I POLICISË DHE FORCËS JOPORPOCIONALE
Rreth orës 4:30 të mëngjesit, ditën e diel, më 17 maj 2020, qindra forca policore rrethuan godinën e Teatrit Kombëtar duke larguar me forcë dhjetëra qytetarë të ulur përballë teatrit dhe duke e rrethuar zonën me një kordon policor.
Operacioni i prishjes filloi menjëherë pa asnjë standard për sigurinë dhe kushtet teknike duke përdorur buldozerë, ekskavatorë.
Të armatosur me armë automatike, pajisje protestash dhe maska te zeza për ski, policia shqiptare dhe njësitë e forcave speciale lëvizën në errësirë në orët e para të ditës së diel – kur kryeqyteti flinte – dhe u futën me forcë në ambientet e Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke shoqëruar një grusht artistësh dhe aktivistësh që kishin ngritur aty barrikada.
Zona rreth godinës u rrethua me një kordon policësh dhe qytetarët nuk u lejuan të hynin.
Aktivistët u futën me forcë në furgonët e policisë dhe u ndaluan ndërkohë që buldozeri hyri për ta kthyer ndërtesën në rrënoja. Dhjetëra qytetarë u ndaluan dhe u arrestuan për rezistencë duke përfshirë edhe drejtuesen e partisë opozitare të LSI, Monika Kryemadhi dhe gazetarin shqiptar Alfred Lela.
Tensionet u rritën kur rreth zonës së ruajtur me forca policie u grumbulluan protestues të tjerë, që filluan të hidhnin parulla si “Poshtë diktatura” dhe duke i quajtur veprimet e qeverisë veprime fashiste.
Europa Nostra, e cila e ka konsideruar Teatrin Kombëtar si një prej shtatë objekteve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë, e quajti këtë një ditë të trishtuar për trashëgiminë kulturore, si dhe për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe në Evropë. Kjo organizatë dënoi gjithashtu ndalimin e aktivistëve të shoqërisë civile që protestuan kundër prishjes së teatrit.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca deklaroi ne Twitter se prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një moment kur dialogu mes qeverisë dhe anëtarëve të shoqërisë civile ishte i nevojshëm: “Na vjen keq që ky apel nuk është ndjekur nga institucionet relevante kombëtare dhe lokale,” ka shkruar ai.
Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri ka shprehur shqetësim rreth prishjes së teatrit dhe ka theksuar mungesën e dialogut si dhe dhunën e dukshme mes qytetarëve dhe policisë. “Ne e mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe i bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë të sigurohen që të jenë paqësorë. Dhuna cenon parimet bazë të demokracisë”.
Ambasadori gjerman Zingraf shprehu shqetësim për pasojat që mund të ketë kjo në luftën e vendit kundër koronavirusit. “E kam të vështirë të kuptoj prishjen e nxituar të Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit sot në atë formë që e pamë. Në gjendjen aktuale të jashtëzakonshme, dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile dhe veprimet transparente te qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme. Në kuadrin e luftës kundër pandemisë së koronës, ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë duke qenë se turmat që u mblodhën dhe që pritet të mblidhen mund të nënkuptojnë një hap mbrapa. Ju bëj thirrje të gjithë aktorëve të angazhohen në dialog dhe të përmbahen,” u shpreh ambasadori.
Me mesazhin dhe shqetësimin e shprehur nga ambasadori gjerman është bashkuar edhe ambasadorja holandeze në Shqipëri Guusje Korthals Altes.
IV.
SHKELJE TË TJERA LIGJORE
Është e pakuptueshme se pse Bashkisë Tiranë i është dashur të merret me procedurat e prishjes dhe ndërtimit te Teatrit të ri Kombëtar. Ligji nr. 10352 datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën” përcakton qartë statusin e Teatrit Kombëtar si përgjegjësi e qeverisë qendrore dhe rregullon gjithashtu statusin juridik të teatrove në pronësi të Bashkisë. Për këtë arsye, Teatri Kombëtar nuk mund të jetë përgjegjësi e qeverisë vendore, përfshirë edhe ndërtimin e tij.