Përgjimet e Ndrag’hetas që përfshinë Bashkinë Tirane e Shëndetësinë – Çfarë dimë deri tani?
Exit.al ka publikuar në datën 21 Janar një Shkrim me Titull: Përgjimet e Ndrag’hetas që Përfshijnë Bashkinë Tiranë dhe Shëndetësisë.
Përmbajtja e Shkrimit si vijon:
Arrestimi i dhjetëra anëtarëve të grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, nxorri në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama dhe përfshirjen e tyre në tendera korruptivë e leje ndërtimi. E gjithë skema e pastrimit të parave të Mafias Italiane në Shqipëri dyshohet se kap vlerën e 250 milionë eurove.
Dosja e plotë e përgjimeve është mbi 1000 faqe dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen pjesë të tjera të saj.
Exit News sjell më poshtë një përmbledhje të plotë të atyre që dihen deri më tani.
Arrestimi. Në 18 janar, Antimafia Iitaliane arrestoi 50 anëtarë të grupit Italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, në një operacion të nisur prej vitesh.
Mes të arrestuarve janë:
Kryetari i bashkisë së Rosarno në Kalabri, Giuseppe Idà,
Një këshilltar komunal i së njëjtës komunë, Domenico Scriva,
Sipërmarrësi kalabrez Antonio Gallo i njohur me nofkën ‘Princi’,
Ish-nëntenenti i Guadia di Finanzas Ercole D’Alesandro,
Sipërmarrësit Tomaso e Saverio Brutto që po përpiqeshin të hynin dhe në tregun shqiptar. Po ashtu, Tomaso Brutto është dhe këshilltar në komunën e Cattanzaros, ndërsa Saverio Brutto këshilltar në komunë Simeri Crichi në provincën e Katanzaros.
Po ashtu u arrestuan dhe shtatë shqiptarë, roli i të cilëve nuk dihet ende:
Edmond Baci, lindur në Shqipëri, banues në Catanzaro;
Henrik Baci, lindur në Shqipëri, banues në Shqipëri;
Odeta Hasaj, lindur në Shqipëri;
Bilar Hoxha, lindur në Shqipëri, banues në Shqipëri;
Alban Keta, lindur në Shqipëri, banues në Catanzaro;
Bledar Koçi, lindur në Tiranë, banues në Tiranë;
Memlin Voci, lindur në Shqipëri, banues në Catanzaro.
Përgjimet
Sipas përgjimeve të të arrestuarve, sipërmarrësit italianë të arrestuar kanë hapur biznese dhe në Shqipëri, veçanërisht në ndërtim dhe shëndetësi. Për këtë arsye, përfaqësuesit e mafies kanë përdorur si ndërmjetës politikanë italian, të cilët janë të lidhur me politikanët dhe zyrtarët e lartë në Shqipëri.
Në përgjime ka biseda për takime me zyrtarë të Bashkisë Tiranë apo ministra, të cilat në këmbim të rryshfetit do të jepnin tendera dhe leje ndërtimi për italianët.
Sipas OraNews, e cila ka zbardhur një pjesë të përgjimeve, sipërmarrësit Antonio Gallo dhe Antionio Speziali flasin me avokatin Claudio Larussa, përfaqësues i politikanëve Tomaso e Saverio Brutto për tu lidhur me zyrtarë pranë kryebashkiakut Veliaj. Qëllimi ishte marrja e lejeve të ndërtimit në qendër të qytetit, në zonën pranë Pallatit të Kulturës, ku çmimet e shitjes janë të larta. Në bisedë përmendet dhe marrja e tenderave në shëndetësi, për të furnizuar spitale me mjete spitalore.
Përgjimet e mëposhtme janë të datës 28.10.2017.
Në kokën e faqes numër 618 shkruhet: “Gallo (Antonio) i shpjegon Spezialit, Larussa, e Brutti, mënyrën e veprimit në Shqipëri, për të marrë tendera në sektorin publik duke aluduar qartë ryshfetet.
Gallo: Ai është shqiptar është president i këtij grupi atje në Shqipëri.
Speziali: Dhe në spitale mund të punohet
Gallo: Nuk e di por ai është President i Sol në Shqipëri, të gjithtë spitalet, është pranë Kryeministrit, pranë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm..
Qytetarët ngrihen t’i thonë jo shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Durrës
Speziali: Ka shkuar Claudio (Larussa) atje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës..
Gallo: Po ka shkuar.
Speziali: Më thuaj, në Shqipëri, unë vërtet i kam impiantet por jam pak skeptik t’i çoj. Nëse i marrim e t’i çoj është mirë për mua, por jo që të ma hedhin. Duhet dërguar personi i duhur.
(Flasin për një person me emrin Nik, shtetas shqiptar.)
Gallo: Kam folur me këtë mikun tim Nik, që më ka thënë se tipi që mori tri licenca për të ndërtuar në Tiranë… ka tri licenca në duar e për 180 milionë që duan, për të bërë ka 10 milionë.
Speziali: Realisht
Gallo: Kërkojnë financues më tha. Gjejnë një sipërmarrës që është mirë dhe banka e financon. Mund të bëhen para pasi shiten 4 milionë 5 milionë për metër, gjysma e Tiranës.
Speziali: Apartamentet?
Gallo: Apartamentet. Ky ka në duar tri licenca gradaçelash, ky konstruktori.
Speziali: 4000 euro jo… 2700-2800 euro.
Brutto: Për atë Perëndi….në qendër të Tiranës?
Gallo: Në gradaçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katrorë. Kosto e di sa është kosto e vërtet? 510 euro.
Speziali: Po nëse e bën diçka luksoze..
Brutto: A a mund të flasim me këtë Nikun?
Gallo: Nëse je në Romë më 9 nëntor vjen. Është Presidenti i Grupit Sol në Shqipëri, i oksigjenit, ka lidhje me spitalet, me Enel, me të gjitha ka lidhje. E ma tha qartë se tenderat duan 20% -shin më tha. Por mund ta paguajnë ata (i referohet Nik).
Cili është Niku – kontakti në Shqipëri?
Sipas MCN TV, ‘Niku’ që përmendet në përgjimet e të arrestuarve në Itali është Besnik Halili. Ai njihet si person i afërt me kryebashkiakun Veliaj, por dhe me ministra të tjerë socialist.
Besnik Halili është pronari i vetëm i shoqërisë NCI shpk, si dhe përfaqësues i shoqërisë GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk, ku aksioner i vetëm është shoqëria italiane Sol s.p.a., e cila përmendet dhe në përgjime.
Besnik Halili është bashkëshorti i Luneda Sufalit, ish drejtoreshë e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, AMLF, në vitet 2013-2015, sot drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror.
Tenderat e fituar nga kompania GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk
Sipas të dhënave të Open Data Albania, kompania GTS ka fituar 80 tendera në fushën e shëndetësisë, me vlerë totale 7.5 milionë euro, pa TVSH.
Bie në sy fakti se GTS ka fituar të gjithë tenderat ku ka aplikuar. Të gjithë tenderat janë fituar me ofertë të njëjtë sa fondi limit i vënë në dispozicion nga institucionet.
Platforma Open Data Albania kishte ngritur disa herë alarmin se tenderat e fiuar nga GTS shpk ishin bërë në mungesë të konkurrencës, pra me vetëm GTS-në pjesëmarrëse në tender.
Në shkrimin e mësipërm janë cituar databazat me të dhëna të hapura dhe transparente të organizatës AIS. Linja editorial e shkrimit, argument edhe fakte të artikullit i përkasim medias dhe autorit. Të dhëna të databazave tona i gjeni duke klikuar opencorporates.al, spendingdata.al, opendata.al, openprocurement.al, dhe aksesdrejtesi.al