Ne, një grupim prej 15 organizatash të gazetarëve dhe shoqërisë civile, në mënyrë të përsëritur, duke filluar nga Dhjetori i vitit 2018, përmes deklaratave tona publike i kemi kërkuar qeverisë të tërheqë dy projektligjet e prezantuara publikisht si Paketa Antishpifje, duke renditur të gjitha kundërtitë tona.
Gjithashtu, pas dorëzimit të këtyre dy projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, i bëjmë thirrje Kuvendit që, në rast se qeveria nuk i tërheq këto projektligje, t’i rrëzojë ato menjëherë. Këto dy projektligje cënojnë lirinë e shprehjes dhe të medias në vend, si dhe bien ndesh me parimet ndërkombëtare të parashikuara në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, nenin 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, nenin 19 të Konvetës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, etj.
Organizatat vërejnë se dy projektligjet pjesë e paketës antishpifje i akordojnë AMAs dhe AKEP-it, kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor.
Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, si dhe në këtë drejtim ka patur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor.
Nevoja për të patur vetërregullim të medias dhe JO rregullim ligjor të saj, merr rëndësi të veçantë në ato shtete me demokraci në tranzicion, sikurse është vendi ynë, ku shpesh mediat janë të lidhura me interesat e njohura të biznesit, të partive politike. Vetërregullimi është kombinim i standarteve që përcakton kodet e duhura të sjelljes për median, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe për të mundësuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbahet e përgjegjshme. Vetërregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe e mbron atë nga ndërhyrjet partizane të qeverisë.
Organizatat i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrin parasysh të gjitha kundërshtitë e përsëritura nga ana e institucioneve ndërkombëtare (të tilla si OSBE, BE, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara), prezenca e të cilave kontribuon në vendin tonë për sundimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të shprehen qartë dhe publikisht mbi projektligjet në fjalë, si masa në dhunim të lirisë së shprehjes.
Gjithashtu, kjo thirrje e organizatave lokale është mbështetur gjatë dy ditëve të fundit dhe nga tetë organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme në adresimin e çështjeve që lidhen me lirinë e medias dhe të shprehjes, si dhe nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve IFJ (me 600 mijë anëtarë nga 140 vende të botës) dhe Federata Europiane e Gazetarëve EFJ ( me 320 mijë anëtarë nga 45 vende)
deklaratën e përbashkët të së cilëve e gjeni bashkëlidhur.
Lista e organizatave firmëtare:
- BIRN Albania
- Civil Rights Defenders
- Citizens Channel
- Faktoje
- Instituti Shqiptar i Medias
- Instituti Shqiptar i Shkencave promotor i Open Data Albania
- Këshilli Shqiptar i Medias
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit
- Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
- New Media Network
- Qendra Res Publica
- Qendra Shqiptare MediaLook
- Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
- Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
- Unioni i Gazetarëve Shqiptarë