Ekspozita “Lahuta e Eposit Shqiptar”- Kronikë në TCH
Kronika më poshtë është realizuar nga TCH mbi aktivitetin “Lahuta e Eposit Shqiptar” i organizuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave
Ekspozita e lahutave, 25/05/2012
Qëndra kombëtare e inventarizimit të pasurive kulturore në bashkëpunim me Institutin shqiptar të shkencave, organizuan në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, një ekspozitë etnografike me objekte unike të eposit dhe mitologjisë sonë.
Në fokus ka qenë Lahuta, si një instrument muzikor i lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore shqiptare.
Lahuta njihet si një instrument popullor ndër më të lashtët në kontinentin Europian dhe përdoret kryesisht në zonën veriore të Shqipërisë, në Kosovë dhe tek shqiptarët e Malit të Zi.
Në ekspozitë janë paraqitur mbi 30 prej tyre, të zgjedhura për vecantinë dhe vlerat unike që mbartin. Objektet e ekspozuara përmbajnë simbole të njohura të mitologjisë, si orët e bjeshkëve, gjarpëri shërues, zana apo figura e kreshnikut, të gdhendura në to.
Disa prej veglave muzikore i përkasin muzeut kombëtar, por janë paraqitur edhe objekte të huazuara nga koleksione private si ai i piktorit të shquar Nikolet Vasia apo studiuesit Vaso Tole.