Aksion Qytetar – Pastro Kepin e Rodonit ( 24-26 Gusht, 2012 )

Tirana Ekspres dhe Smart Toursit Albania www.smarttourist.al , Ju ftojnë të bëheni pjesë e Klubit “Rojat e Kepit”. Ky organizim synon të ndërmarrë në data 24-26 gusht një aksion konkret për të parandaluar degradimin e një prej zonave më piktoreske dhe të veçanta të bregdetit shqiptar: Kepi i Rodonit.

Degradim nga ndotja. Kepi i Rodonit është një zonë bregdetare pa ndërtime të vona në dy dekada të tranzicionit urbanistik. Gjithashtu kjo zonë shtrihet larg akseve të rrugëve nacionale. Megjithëse jo i populluar dhe frekuentuar Kepi i Rodonit ka ndotje të theksuar nga mbetjet urbane dhe inerte. Shkak i kësaj janë prurjet e lumenjve dhe deltave ujore të cilat përdoren si vende për depozitim dhe shkarkim të mbetjeve të zonave të banuara. Përkatësisht mbeturina shkarkohen në lumenjtë Ishëm dhe Mat. Në lumin Ishëm lundrojnë drejt Kepit mbetje urbanë që shkarkohen në Tiranë (Lana dhe Lumi i Tiranës bashkohen ne Kamës dhe më tej bëhen pjesë e Lumit Ishëm në afërsi të fshatit Tërkuzë); Laknas; Rinas; Prezë dhe e gjithë Malësia e Ishmit. Me lumin Mat lundrojnë drejt Kepit mbetje të hedhura në luginën e lumit që nga zona e Fanit; Krahina e Matit e më tej Milot; Kurbin; Fushë – Krujë; Fushëkuqe etj.
Këto tonelata mbetje të cilat lundrojnë drejt grykëderdhjeve të deltave depozitohen në brigjet piktoreske të Kepit të Rodonit. Aktualisht ky kep me vlera natyrore dhe historike është shndërruar në një kosh gjigand mbeturinash.

“Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit” është një nismë qytetare për aktivizimin e vullnetarëve të cilët në datat 24 deri 26 gusht do të pastrojnë bregun duke mbledhur dhe dërguar në depot e riciklimit mbetjet përkatëse. Gjithashtu ky aksion synon sensibilizim dhe presion qytetar për të ndërprerë hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbaneve të bashkive dhe komunave përgjatë lumenjve dhe përrenjve që derdhen në bregun e Adriatikut. Grupi iniciator synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e grumbullimit të mbetjeve për riciklim si zgjidhje e duhur për problematikën e ndotjes.
Është koha e duhur, dhe aktivizimi qytetar mund të japë rezultate për të pasur një Kep të Rodonit promovues të turizmit, natyrës dhe trashëgimisë historike të vendit tonë.
Bashkohuni me “Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit”, kjo nismë është qytetare dhe realizohet nga vullnetarë të ndërgjegjshëm se problemet janë për tu zgjidhur. Vepro tani bëhu pjesë e këtij Aksioni.

Shtrirja gjeografike. Kepi i Rodonit njohur ndryshe si Kepi i Skënderbeut ndan Gjirin e Rodonit nga Gjiri i Lalzit. Si vazhdim i kurrizit kodrinor të Rodonit, kepi bie thikë mbi det duke formuar një breg piktoresk. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Bukuri Natyrore dhe Vlera Historike. Veç vlerave historike që lidhen me betejat dhe qëndresën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kepi mbart si toponim vlera që përkojnë më mitologjinë Ilire. Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Posedoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët tanë mes tyre Prof. Hasan Ceka.

Është koha e duhur, dhe aktivizimi qytetar mund të japë rezultate për të pasur një Kep të Rodonit promovues të turizmin, natyrës dhe trashëgimisë historike të vendit tonë.
Bashkohuni me “Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit”, kjo nisëm është qytetare dhe realizohet nga vullnetar të ndërgjegjshëm se problemet janë për tu zgjidhur. Vepro tani bëhu pjesë e këtij Aksioni.

Për tu bërë pjesë e “Klubi i Rojeve të Kepit”, dhe për të marrë informacion mbi nisjen në Kep dhe organizimin bashkohu me rrjetin social në Facebook Tirana Ekspres – The Alternative Art Space of Tirana. Gjithashtu në median sociale @Smart Tourist Albania dhe në http://ais.al. Për më tepër informacion ejani në datën 21 gusht ora 19.00 në Ambientet e Tirana Ekspres (magazinat e Stacionit të Vjetër të Trenit, Rr Karl Gega, Tiranë).

Smart Tourist Albania – Raportoni problemet ne lidhje me turizmin direkt nga celulari juaj

Smart Tourist Albania eshte nje projekt i AIS qe ka si qellim rritjen dhe ndërgjegjësimin publik mbi ndotjen mjedisore në zonat turistike dhe ushtrimi i presionit qytetar mbi institucionet përgjegjëse përmes një platforme informuese online.

Per nje vend si Shqiperia, ne mungese te industrive dhe rrenimit te sistemeve ekonomike si bujqesia apo blegtoria, turizmi eshte teper i rendesisshem. Vitet e fundit ka nje kujdes te vecante per kete industri dhe kjo eshte shoqeruar me disa fushata reklamash, panaire shqiptare dhe nje sere deklaratash politike bombastike qe theksojne vlerat naturale te turizmit shqiptar.

Pertej oportunizmit dhe sy-veshurit burokratik, turizmi shqiptar calon ne disa aspekte dhe eshte teresisht i braktisur ne meshire te fatit. Projekti yne tenton qe te rrise vemendjen ndaj problemeve te turizmit duke percjelle raporte qytetare dhe shqetesime te pushuesve mbi gjendjen aktuale. Evidentimi i problemeve, dhe pranimi i tyre duhet te jete hapi i pare drejt permiresimit dhe perfeksionimit te gjendjes dhe per kete gje ne po leshojme sot dhe aplikimin e pare te bazuar mbi telefoni ne funksion te raportimeve qytetare.

Duke qene se shume nga pushuesit jane te paisur me celulare atehere platforma jone mundeson shkarkimin e nje aplikimit “Smart Tourist Albania” me ane te cilit mund te raportohet lehtesisht direkt ne vendin e pushimit per problemet e hasura. Problemet mund te jene te lidhura me ndotjen e vend-pushimeve, abuzimin me hapesira publike nga privatet e te tjera kategorizime. Gjithcka duhet jane pak klikime per te reaguar dhe ngritur zerin ndaj pakenaqesive te vrojtuara.

Splash Screen - Smart Tourist Albania

Faqja prezantuese e aplikimit per Android – Smart Tourist Albania

Aktualisht versioni i aplikimit mund te perdoret nga cdo celular me sistem Android dhe  mund te shkarkohet nga adresa: www.smarttourist.al/SmartTouristAlbania.apk. Aplikimi eshte i krijuar mbi Ushahidi Android App dhe eshte i gjithi ne shqip. Ju ftojme ta perdorni per te ngritur zerin tuaj ndaj problematikave te lartpermendura. Per cdo problem ne lidhje me kete aplikim ju lutem na kontaktoni

 

 

 

Ekspozita “Lahuta e Eposit Shqiptar”

Instituti Shqiptar i Shkencave me kënaqësi njofton mbështetjen e tij për ekspozitën “Lahuta e Eposit Shqiptar”

Poster Ekspozita "Lahuta e Eposit Shqiptar"

Projekti Open Data Albania, vlerësohet në Transparency Camp Washington 2012

Open Data Albania projekt i Institutit Shqiptar të Shkencave (AIS) është prezantuar dhe vlerësuar në kuadër të Transparency Camp që po zhvillohet në Washington D.C. Ky event i rëndësishëm i aktivistëve që punojnë për transparencë në SHBA dhe mbarë botën, organizohet nga Fondacioni Amerikan “Sunlight”. Projekti është prezantuar në Washington nga bashkëthemeluesja e Open Data Albania znj. Julia HOXHA, njëkohësisht eksperte pranë Karlsruhe Institute of Technology. Ky prezantim është realizuar në një panel me përfaqësues të shoqërisë civile nga mbi pesëdhjetë vende të botës

“Open Data Albania një projekt që mbledh dhe analizon të dhëna për qeverisjen e Shqipërisë, një partneritet i suksesshëm me gazetarët shqiptar për të shpjeguar se si po shkojnë gjërat në këtë vend” – ky ka qenë vlerësimi nga organizatorët e Transparency Camp Washington 2012. Organizator dhe pjesëmarrës në event e kanë cilësuar ODA si një model të nevojshëm për shoqërinë civile në vende me demokraci dhe nivel  të lartë transparence.

Transparency Camp zhvillohet çdo vit në Washington duke promovuar ide dhe projekte për Transparencë dhe Pjesëmarrje Qytetare. Instituti Shqiptar i Shkencave merr pjesë për të dytin vit radhazi në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar. Këtë vit projekti shqiptar Open Data Albania ka tërhequr vëmendje duke marrë vlerësime nga më të lartat. Një nga forumet më të njohur të shoqërisë civile në Washington ka promovuar projektin shqiptar Open Data Albania duke frymëzuar aktivist për transparencë në vende të ish kampit socialist. Projekti Open Data Albania është vlerësuar edhe për partneritetitn e krijuar ndërmjet shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medias në Shqipëri, partneritet që rrit efiçensën në proçese për aktivizim qytetar.

http://techpresident.com/news/22126/things-weekend-more-interesting-you-whcd

Propozime të AIS në kuadër të OGP Albania

Në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për Partneritetin për Qeverisje të Hapur OGP, si dhe thirrjes së Qeverisë Shqiptare për konsultime me shoqërinë civile, Instituti Shqiptar i Shkencave ka formuluar disa sugjerime dhe propozime për Grupin Ndërministrorë të Punës. Deklarata e Partneritetit për Qeverisje të Hapur konsideron si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin dhe aktivizimin e shoqërisë në procese për qeverisje transparente dhe të hapura ndaj publikut. Sugjerimet e ekspertëve të AIS synojnë rritjen e aksesit të informimit dhe publikimin e të dhënave në formatin Open Data. Propozimet mbajnë datën 30 mars 2012 dhe dokumenti zyrtar i AIS ka përmbajtjen si vijon:

Të nderuar anëtarë të GNP për Planveprim në kuadër të OGP,

Duke përfituar nga rasti, Instituti Shqiptar i Shkencave promotor dhe realizues i Open Data Albania[1] shpreh konsideratë të lartë dhe vlerëson sëtepërmi vullnetin e Qeverisë Shqiptare për angazhim në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur OGP.

Në përgjigje të ftesës për sugjerime të Shoqërisë Civile, po ju parashtrojmë propozime si vijon:

Në kuadër të hartimit të Planveprimit për OGP, do të sugjeronim që ky Plan të ketë edhe një Objektiv si dhe është Publikimi i të Dhënave Qeveritare sipas metodologjisë Open Data, ndryshe realizimi i Data Gov Albania. Publikimi i të dhënave sipas metodologjisë Open Data mund të realizohet nëpërmjet një portali ose me rubrika “open data” në faqet zyrtare të institucioneve kryesore.

Ky Objektiv mund të synojë në një fazë të parë afatshkurtër një institucion pilot. Me shumë interes do të ishte në përzgjedhje Ministria e Financave e cila në performancën aktuale është fare pranë standardit të kërkuar dhe modelit Open Spending. Po me të njëjtin interes është edhe Ministria e Ekonomisë e cila është promotore e shumë publikimeve me sensibilitet të theksuar për biznesin dhe investitorët, ose agjencia shtetërore AIDA.

plan më afatgjatë mbi një vit: Pjesë e Objektivit për Open Data Gov Albania duhet konsideruar INSTAT-i. Ky institucion si koordinator kombëtar i të dhënave mbi ekonominë dhe shoqërinë shqiptare do të duhet të standardizojë brenda një harku kohore dy deri tre vjecarë, tërësisht procesin e publikimit të të dhënave statistikore të sektorit publik. Ky detyrim përkon edhe me Direktiva të fundit të Komisionit Europian për publikim të të dhënave publike.

Instituti Shqiptarë i Shkencave është i gatshëm të kontribuojë me dhënie konsulence dhe ekspertize jo kundrejt pagesës, në kuadër të realizimit të procesit Open Data Gov Albania. Gjithashtu ofrohen një grup templatesh të realizuara nga ekspert te Open Data Albania me qëllim përdorimin nga administrata shqiptare. Nevoja për ekspertizë për Qeverinë Shqiptare është parashikuar edhe në vlerësimet e fundit nga OGP Networking Mechanism[2]ku palës shqiptare i sugjerohet të asistohet nga ekspert. Shprehim besimin se Shqipëria ka potencial ta zhvillojë këtë proçes me ekspertë vendas të administratës dhe shoqërisë civile, pa qenë e nevojshme kontraktimi për ekspertizë të huaj.

Instituti Shqiptar i Shkencave në plan afatshkurtër ofron bashkëpunim dhe sugjeron të bëhen pjesë e përmbajtjes së Planveprimit dy aktivitete:

1.    Trajnim me titull: Public Data Usability – New Standarts of Publishing Government Data. Ekspert IT; të Institutit Shqiptar të Shkencave mund të trajnojnë Specialistë të Institucioneve. Një cikël i parë trajnimi është anoncuar dhe do të realizohet në datën 27 prill 2012[3] si pjesë e kalendarit të punës për Projektin Open Data Albania.

2.    Trajnim me Titull: Gjykata Administrative si Institucion i Rekursit për Akses Informimi. Ky trajnim mund të organizohet nga Instituti Shqiptar i Shkencave me trajnues ekspert shqiptarë të komunikimit publik dhe të drejtës. Trajnimi ka në fokus Zyrtarë të Marrëdhënieve me Publikun dhe Jurist të Institucioneve Qeveritare. Theksojmë që krijimi dhe funksionimi i Gjykatës Administrative në RSh shënon konsolidim të mekanizmit të rekursit për të drejtën e publikut për informim, konsolidimi i mekanizmit të rekursit është një nga angazhimet e parashikuara në Deklaratën e OGP.

Të dy aktivitetet e sipërshënuara marrin vlerë në kuadër të rritjes së performancës së administratës publike në kontekstin e hapjes për publikun.

Në vijim të komunikimit, jemi të gatshëm të përcjellim detaje të mëtejshme mbi veçori teknike të sistemeve për publikim të të dhënave transparente me burim Qeverinë dhe Agjencitë Publike.

Edhe një herë Instituti Shqiptar i Shkencave përfiton nga rasti për shprehur konsideratë dhe vlerësim për angazhimin e Qeverisë Shqiptare në kuadër të Open Government Partnership, si dhe Ju urojmë suksese në finalizimin e Planveprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.

Me Respekt,

Aranita BRAHAJ

Drejtore Ekzekutive

Instituti Shqiptar i Shkencave

Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS) bëhet anëtar i Telecentre – Europe

Instituti Shqiptar i Shkencave është anëtari më i ri i organizmit ndërkombëtar Telecentre Europe. Mes 30 vendeve nga Europa, AIS është partneri shqiptar në këtë organizëm me mbi njëqind organizata pjesëmarrëse. Telecentre Europe AISBL funksionon prej vitit 2010. Ky organizëm jo-qeveritar nën drejtimin e autoriteteve europiane, kontribuon për të përmirësuar aftësimin e qytetarëve në përdorimin e internetit. Rrjeti i Telecentre-Europe është partner me organizata lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, të gjitha të drejtuara në bashkëpunim nga nevoja për shkëmbim njohurish dhe rritje kapacitetesh.

Misioni i ketij rrjeti është përfshirja dhe aftësim i një numri sa më të madh qytetarësh europian në përdorim dhe aftësim nëpërmjet internetit. Telecenter Europe AISBL  ka shtrirë gjithashtu partneritetin dhe shkëmbimin e eksperiencave me organizma jo vetëm europian por edhe ndër-kontinental. Në vitin 2012 fushatat dhe eventet e Telecente- Europe u mbështeten drejtpërdrejt nga Komisioni Europian.

Open Data dhe Platforma Europiane për Informacion të Sektorit Publik

Instituti Shqiptar i Shkencave merr pjesë në Konferencën: Platforma Europiane për Informacion të Sektorit Publik.

ePSI-Platforme- Rotterdam, Holandë 16 Mars 2012.

Lëvizja Open Data në Europë ka bërë vitet e fundit progres dhe hapa përpara duke e transformuar metodologjinë Open Data në një angazhim të Qeverive dhe Organizmave të Bashkimit Evropian. Anoncimi i Strategjisë për Open Data nga Komisioni Evropian announcement of the European Open Data Strategy by the European Commission, bën që aktivizimi për Open Data të shënojnë një stad të ri Suksesi.

Shoqëria civile që mbështet këtë lëvizje është tashmë në një stad më të lartë të angazhimit dhe arritjeve. Si komunitet për të dhëna të hapura pa barriera, kemi arritur në momente historik të adaptimit të metodologjisë nga Qeveritë. Në këtë stad konstatohet: përfshirja e një numri gjithnjë e më të madh personash dhe zotërimi i një katalogu të gjerë të dhënash për ri-përdorim. Në vende të ndryshme janë përhapur modele të Open Data, si dhe lehtësira teknologjike të përshtatura për ta ndihmuar proçesin.

Në konferencën ePSI-Platform 2012, 350 pjesëmarrës nga organizma të BE-së, shoqëria civile, qeveritë dhe institute të kërkimit shkencor, sollën ecurinë dhe sfidat për një proçes hapjeje të Sektorit Publik kundrejt Sektorit Privat.

Instituti Shqiptar i Shkencave si një organizëm joqeveritar, Promotor i Lëvizjes për Open Data në Shqipëri dhe Rajon, Realizues i portalit kombëtar Open Data Albania, mori pjesë në këtë evet të rëndësishëm në nivel europian. Qëllimi i pjesëmarrjes: shkëmbim eksperiencash dhe idesh me përfaqësues nga dyzet vende dhe organizma të rëndësishëm në nivel europian.

Rasti i Shqipërisë sjell një model të sfidës së shoqërisë civile kundrejt politikave të sektorit publik. Open Data Albania është i vetmi projekt me iniciativë të aktivistëve social dhe financim të drejtpërdrejt nga fonde joqeveritare si OSF dhe OSFA, që ja ka dalë të realizojë një portal kombëtar për Open Data. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe sëfundmi Italia janë të vetmet shtete të BE që kanë konkretizuar portale nacionale me iniciativa dhe angazhim të Qeverive. Sfida shqiptare për të realizuar portal nacional me iniciativë dhe fonde jo-qeveritare është një Histori Sfide dhe Suksesi për Lëvizjen Open Data në rang Europian.

Ekspozitë – Lahuta e Eposit Shqiptar

Instituti ynë i bashkohet nismave në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe në bashkëpunim me “Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore”, “Qendrën Ndërkombëtare e Kulturës ‘Pjeter Arbnori’” dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve në ekspozitën “Lahuta e Eposit Shqiptar”. Kjo ngjarje shënon dhe përfundimin përgatitjes së dosjes, përmes së cilës Lahuta shqiptare do t’i propozohet UNESCO-s për marrjen në mbrotje si pjesë e trashëgimisë kulturore nën “Eposin e Kreshnikëve”.
Ekspozita do ofrojë pasqyrim të ekzemplarëve të ndryshëm lahutash. Krahas lahutave nder të cilat disa janë të shekullit të XIX, do ekspozohen dhe materile shoqëruese si botime të Eposit shqiptar, studime për Eposin dhe filma dokumentar dhe me muzikë nga një rapsod i Eposit shqiptar.

Lahuta Shqiptare

Lahuta Shqiptare

Në ditët në vazhdim do të njoftojmë datën e saktë të kësaj ngjarje.

Njoftim për Pjesëmarrje Qytetare – Open Government Albania

Viti 2012 është viti i angazhimit për mirëqeverisje dhe pjesëmarrje qytetare pagëzuar si Open Government, e shqipëruar Qeverisje e Hapur. Shqipëria ka shpallur 2012 vit të sfidës për t’u bërë pjesë e Open Government Partnership, OGP (Partneriteti për Qeverisje të Hapura). Në shtator 2011 tetë shtete të globit nënshkruan për OGP, përkatësisht: Brazili, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Filipinet, Meksika, Norvegjia, Afrika e Jugut dhe Indonezia. Vendi ynë do ti bashkohet kësaj iniciative në Mars e deri atëherë duhet të ketë gati një plan veprimi duke plotësuar shumë standarde. Kështu shteti shqiptar ka shprehur vullnetin për tu rreshtuar ndër vendet me nivel të lartë demokracie e transparencë qeverisjeje.  Në këtë partneritet të shteteve më demokratike, Shqipëria është vendi i parë i kampit ish komunist, vendi i dytë i kontinentit Evropian dhe i pari shtet ballkanas që bëhet pjesë e OGP-së.

Çfarë është Open Government Partnership (Partneriteti për Qeverisje të Hapur). Ky partneritet bazohet tek parimet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit dhe mjaft instrumenteve të tjera ligjore për të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisjen. Qytetarët e mbarë botës, përfshi dhe shtete të përfshira në proceset e “Pranverës Arabe” kërkojnë qeveri më transparente, më të përgjegjshme, reaguese dhe efektive. Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP) synon të angazhojë qeveritë në shfrytëzimin e fuqisë së teknologjive në mirëqeverisje. Fuqia e teknologjisë siguron hapje në angazhimin me qytetarët për të përmirësuar shërbimet, menaxhuar burimet publike dhe promovuar inovacionin. Një qeverisje e tillë veç efiçensës ka siguruar edhe dinjitetin human të individëve që ajo qeveris. Ky parim i dixhitalizimit për transparencë dhe disponueshmëri duhet të përfshijë qeverisjen në çdo nivel.

Instituti Shqiptar i Shkencave po ndërmerr një veprim informimi publik mbi këtë proces. Si hap i parë po sjellim në gjuhën shqipe Deklaratën për Open Government. Gjithashtu jo ftojmë të bëheni pjesë e aktivizimit civil duke prezantuar opinione, sugjerime dhe interesat tuaja për OGP në rubrikat e kontaktit dhe rrjetet sociale të promovuara nga Institui Shqiptar i Shekncave. Këto opinione dhe sugjerime do të përcillen në portalin e Instituti Shqiptar të Shkencave dhe do të delegohen pranë Qeverisë Shqiptare në cdo mundësi konsultimi që do të ofrohet nga palët në ndërveprim.

Aksesi në teknologji të reja funksionon jo vetëm për hapjen por edhe mbi llogaridhënien qeveritare. Teknologjitë e reja ofrojnë mundësi për shkëmbim, pjesëmarrje publike dhe bashkëpunim. Këto teknologji do të përdoren për të bërë të ditur sa më shumë informacione që publiku të ketë të qartë se çfarë bëjnë qeveritë. Ky proces funksionon për të mundësuar influencën qytetare në pjesëmarrje.

Një vend të veçantë zënë në këtë deklaratë të vendeve anëtare publikimi i të dhënave qeveritare (open data). OGP parashikon angazhimin për të promovuar akses të shtuar të informacionit dhe dhënien e informacioneve shpjeguese në çdo nivel të qeverisjes. Theks vendoset tek transparenca në sistemimin e vazhdueshëm të të dhënave mbi shpenzime qeveritare openspending. Procesi synon të bëjë aktiv informacion me vlerë të madhe përfshi raw data (të dhëna të papërpunuara). Kusht i procesit është që çdo e dhënë të jetë lehtësisht e ripërdorshme. Në rast të kundërt qeveritë duhet të parashikojnë një sistem më të mirë ankimimi duke siguruar mjete juridike efektive të procesit të rekursit. Thënë me fjalë krejt të thjeshta e drejta e publikut për akses informimi mbi të dhëna zyrtare, po shndërrohet në të drejtë të publikut për të dhëna të hapura (open government data). Kjo është një sfidë esenciale për një vend që deri para dy dekadash aplikonte censurën në nivel totalitar.

Standarde të Shqipërisë për OGP. Përveç vullnetit me rol në këtë proces është një ecuri e mirë e viteve të fundit në fushën e dixhitalizimit dhe sistemeve elektronike në ndërveprime administrative. Kështu Shqipëria në 2009-ten u bë vendi i parë që aplikon prokurime elektronike të detyrueshme për të gjithë sektorin publik për vlera mbi tremijë euro. Penetrimi i internetit tek popullsia shqiptare është gjithashtu një formë dinamike në ecurinë e tre viteve të fundit. Nëpërmjet njëqind e njëzet e pesë  projekteve për dixhitalizim, 2012-ta pritet të sigurojë procedura transparente të administratës.

Plan veprimi i mbyllur për një qeverisje të hapur. Teknikisht Ministria e Inovacionit duhet të dorëzojë në mars 2012, në emër të Qeverisë Shqiptare një Plan Veprimi për Open Government Albania . Puna për realizimin e plan veprimit fillon me zgjedhjen e një prej pesë sfidave grand challanges për të adresuar si prioritet në vitin e parë të angazhimit. Çdo përzgjedhje e Qeverisë Shqiptare duhet bërë në konsultim të gjerë me qytetarët dhe shoqërinë civile. Ky kriter veprimi është i lidhur ngushtë me parime të deklaratës si transparenca, pjesëmarrja qytetare dhe përgjegjshmëria. Një plan për qeverisje të hapur në asnjë lloj konteksti nuk mund të zhvillohet në një proces të mbyllur pa pjesëmarrje. Aktualisht në kërkimin në faqet zyrtare të ministrive nuk gjen asnjë informacion nëse proceson me fjalë-kërkim Open Government Partnership (OGP). Çdo detaj të sipërmarrjes shqiptare për anëtarësim e gjen vetëm në gjuhën angleze në webin zyrtar të Open Government Partnership . Po në këtë web mund të gjesh përmbajtjen e skanuar të dokumentit zyrtarë të Qeverisë Shqiptare me Nr. Prot 2328, datë 02.08.2011, nënshkruar nga ministri Genc Pollo ku shprehet angazhimi për pjesëmarrje në kuadër të Open Government Partnership. Deklarata e OGP  nuk është reklamuar në asnjë nga hapësirat virtuale të qeverisjes shqiptare. Në gjuhën shqipe teksti i Open Government Declaration është përcjellë me iniciativë të një organizmi joqeveritar veprues në procese të transparencës dhe inovacionit sI Instituti Shqiptar i Shkencave . Kjo mungesë informimi dhe ndërveprimi të bën të gjykosh se procesi për Plan Veprim nuk ka nisur si një proces i hapur. Disa kritere si pjesëmarrja qytetare dhe konsultimi me ndërveprim janë vonuar duke cenuar thelbin e angazhimit në Partneritet për Qeverisje të Hapur, OGP. Në të njëjtin kontekst neglizhues është edhe e vetmja Agjenci për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në vend. Kjo Agjenci ka anoncuar për vitin 2012 prioritete ku nuk përditësohet “sfida për qeverisje të hapur” si proces me partneritet të drejtpërdrejtë me shoqërinë civile.

Vende të tjera në proces anëtarësimi dhe implementimi kanë aktualizuar portale të dedikuara me lehtësi aksesi, aktualizimi, përdorimi për të publikuar: të gjitha etapat e procesit; kalendarin e aktiviteteve që është edhe pikë e detyrueshme për publikimin paraprak të datave te konsultimeve me publikun; formate të reja publikimi të informacioneve të ndryshme; strategji për angazhim qytetar në procesin e përgatitjes së plan veprimit, ky konsiston në promocion nëpërmjet marrëdhënieve me publikun, angazhimit në media, promovimit në rrjete sociale dhe kontakt me organizma joqeveritare. Në kontekstin e vendeve që po avancojnë në iniciativat për qeverisje të hapur, konsultimi si proces është deleguar kryesisht pranë organizmave joqeveritar.

Viti 2012 është vit i një sfide për qeverisje të mirë si qeverisje e hapur për palët ndërvepruese dhe qytetarët. Procesi sfidë duhet azhornuar sipas një modeli të hapur. Vullneti politik i qeverisjes për dixhitalizim rrezikon të kthehet në një proces të kushtueshëm për taksapaguesit vendas apo të qeverive donatore, por pa efiçencë në qeverisje të hapur. Kjo nëse konsiderohet si një akt i njëanshëm pa ndërveprim. Në fillimvitin e sfidës për qeverisje të hapur, Shqipëria duhet të veprojë sipas modelit të tetë shteteve lider të Open Governement Partnership.